DASËM

Ngjizur me një princip të lashtë,
ngjyer sa herë në nuanca të varakëta,
pikoj djersë sot ngjitur me ëndrrën,
duke ju mburrur tulatjeve të largëta.

Sot, për veten dhe për dashurinë,
për nënën e babanë, motrën e vëllanë,
në vello do qëndis lumturinë,
do mar bekim e do bëhem zanë.

Mbi kokë do mbaj kurorë pranverën,
në trup, rubin të kuq e qelibar do derdh,
mbi gjoks do tund gjerdan buzëqeshjesh,
në qilim tingujsh të blertë këmbët do hedh.

Ndër fije floku flatra ëngjëjsh do të lidh,
kaltërsine e qiellit do mbledh në kraharor,
ndër duar do shtrëngoj të tjera duar,
do mbledh mijëra puthje e do bëj kurorë.

Do të tundet vallja mbushur me dasmorë
do bucas daullja, zemra do të dridhen,
do jehojë si kurrë kënga e tokës sime,
do te çirret currlja, shpirtra do të zgjidhen.

Me bandillin si diej do shndrisim
me urata të thinjura do thurim çdo ind,
hare të dlirë do mbjellim nën çdo hap,
unë jam bijë yjesh e yje do të lind.

Your rating: None Average: 5 (4 votes)